Kriza lindore dhe lëvizja Shqiptare

Kriza lindore dhe lëvizja Shqiptare

Gjatë viteve 70 të shek. XIX u duk qartë se politika 40-vjeçare tanzimatiste e qarqeve sunduese osmane nuk arriti të ndalte procesin e shthurjes së mëtejshme të perandorisë së sulltanëve. Plogështia e strukturës shtetërore, arbitrariteti i hallkave administrative dhe korrupsioni i aparatit burokratik, që Perandoria Osmane kishte trashëguar nga sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak, u shtuan më shumë. Në vitet 70 ekonomia e saj ndodhej në një amulli të përgjithshme. Gjatë dy dekadave të fundit vërshimi i mallrave të industrisë evropiane ishte trefishuar. Më 1875 niveli i eksportit përfaqësonte çerekun e importit. Kriza e saj financiare ishte acaruar në kulm. Porta e Lartë ishte e detyruar të merrte çdo vit nga jashtë borxhe të reja, pasi me të ardhurat buxhetore nuk përballonte dot as gjysmën e shpenzimeve të veta. Më 1875 të ardhurat ishin 800 milionë franga ari, kurse borxhet e saj të jashtme kapnin 5,3 miliardë franga ari. Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të shlyente jo vetëm këstet e kredive, por as kamatën e tyre të përvitshme. Me gjithë përpjekjet e tyre gjysmëshekullore, qarqet sunduese osmane nuk i siguruan dot Perandorisë së tyre as qetësinë e brendshme politike. Kryengritjet e masave popullore kundër shtypjes feudale dhe ato të kombësive joturke kundër zgjedhës osmane, vazhduan të shpërthenin në të katër anët e Perandorisë. Për më tepër, tani kishte dalë në skenë, si forcë e re kundërshtare, edhe lëvizja liberale demokratike turke, e përfaqësuar nga organizata e “Osmanëve të Rinj”, e cila synonte të zhdukte despotizmin feudal teokratik të sulltanëve. Edhe gjendja ndërkombëtare po zhvillohej në dëm të saj. Gjatë viteve 70 kishte dalë në skenë Perandoria Gjermane, e cila kishte filluar të trondiste pozitat ndërkombëtare të dy perandorive koloniale, të Anglisë dhe të Francës. Disfata që pësoi Franca nga Prusia (1871), i dha rast Rusisë cariste të hidhte poshtë nenet e Traktatit të Parisit (1856), që e pengonin të armatosej në Detin e Zi kundër Perandorisë Osmane. Po ashtu, Austro-Hungaria, pas disfatës që kishte pësuar politika e zgjerimit të saj në Gjermani e në Itali, kishte filluar të aktivizohej në drejtim të Gadishullit Ballkanik dhe të detit Egje. Gjatë kësaj kohe edhe Italia, e cila kishte përfunduar bashkimin e saj politik dhe kishte hyrë në radhët e Fuqive të Mëdha, ndonëse ishte ende e dobët, aspironte të vinte një këmbë në bregdetin lindor të Adriatikut. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, përballë Anglisë e Francës, të cilat përpiqeshin si edhe më parë ta mbanin në këmbë Perandorinë Osmane, tani, gjatë viteve 70, qëndronin dy fuqi të tjera të mëdha që dëshironin shembjen e saj të shpejtë - Rusia cariste dhe Austro-Hungaria. Për të vënë në jetë planin e saj ekspansionist, Rusia filloi të nxiste popullsitë e shtypura të Turqisë Evropiane për kryengritje kundër Portës së Lartë dhe sidomos shtetet sllave ballkanike për luftë kundër Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim ajo doli me flamurin e “pansllavizmit”, i cili në të vërtetë çonte në nënshtrimin e kombësive sllave dhe josllave ndaj politikës cariste. Në këto rrethana shpërtheu në korrik të vitit 1875 kryengritja çlirimtare kundërosmane në Hercegovinë. Muajin tjetër ajo u shtri në Bosnjë. Në kryengritjet e të dy vendeve morën pjesë vetëm popullsitë sllave të krishtere. Banorët sllavë myslimanë, të cilët në Bosnjë përfaqësonin shumicën e popullsisë, qëndruan jashtë kryengritjes, madje pjesërisht anuan kundër saj. Me gjithë ndihmën që patën nga Serbia e Mali i Zi, kryengritësit nuk i bënë dot ballë kundërveprimit ushtarak osman. Në vjeshtë e në dimër, hovi i kryengritjeve ra, por në pranverën e vitit 1876 ato u gjallëruan përsëri. Për më tepër, në prill 1876 shpërtheu kryengritja çlirimtare në Bullgari. Megjithatë Porta e Lartë mundi përsëri t’i shtypte kryengritjet bullgare, boshnjake dhe hercegovinase. Sapo shpërtheu kryengritja në Hercegovinë e në Bosnjë, Serbia e Mali i Zi u përpoqën ta shtrinin zjarrin e saj edhe në popullsitë e tjera të shtypura të Turqisë Evropiane. Ato i nxitën për kryengritje kundërosmane edhe shqiptarët, por këta nuk lëvizën, sepse panë që Beogradi dhe Cetina kishin qëllime aneksioniste ndaj trojeve të tyre. Në qershor 1876, kur u pa se plani i shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme të popujve të shtypur të Ballkanit kishte dështuar, Beogradi e Cetina kaluan në aksion të hapur. Serbia më 30 qershor dhe Mali i Zi më 1 korrik 1876 i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Serbia e Mali i Zi patën përkrahjen e Perandorisë Ruse, e cila u dërgoi armatimet e nevojshme dhe, së bashku me to, edhe 30 mijë “vullnetarë” rusë për të luftuar për çlirimin e “vëllezërve” sllavë nga zgjedha osmane. Por lufta e dy monarkive ballkanike kundër Turqisë krijoi një situatë tepër të ndërlikuar në arenën ndërkombëtare. Cilido që të ishte përfundimi i saj, ajo do të tërhiqte ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për të rregulluar, secila sipas interesave të vetë, hartën politike të Evropës Juglindore. Në të vërtetë, një javë pas fillimit të luftës, më 8 korrik 1876, Rusia dhe Austro-Hungaria bënë me anën e dy notave të veçuara një marrëveshje të fshehtë në Rajhshtat (Reichsttadt) të Bohemisë për ta rregulluar Gadishullin Ballkanik sipas interesave të tyre ekspansionistë. Vjena e Peterburgu vendosën të mos ndërhynin ushtarakisht në konfliktin e Serbisë e të Malit të Zi me Turqinë. Por të dyja palët ranë në ujdi që, po ta fitonte luftën Perandoria Osmane, nuk do të bëhej asnjë ndryshim në hartën politike të Gadishullit Ballkanik. Megjithatë, në këtë rast do ta detyronin Portën e Lartë të zbatonte në favor të popullsisë sllave disa reforma si ato që iu dhanë Kretës më 1886, ndërsa po ta fitonte luftën pala tjetër (Serbia e Mali i Zi), Bosnja do të kalonte nën zotërimin kryesisht të Austro-Hungarisë dhe pjesërisht të Serbisë, e cila do të merrte gjithashtu një pjesë të Kosovës, kurse Mali i Zi një pjesë të Hercegovinës. Bullgaria do të bëhej një shtet autonom dhe Rumelia një vilajet autonom. Në këtë rast Vjena vuri conditio sine qua non që të mos krijohej një shtet i madh sllav në Gadishullin Ballkanik. Kjo do të thoshte që as Serbia nuk duhej të shtrihej deri në Adriatik, as Bullgaria nuk duhej të përfshinte Maqedoninë, sepse, si njëra, si tjetra, do ta pengonin ekspansionin e Austro-Hungarisë drejt Egjeut. Në notën austro-hungareze parashihej krijimi i një shteti autonom shqiptar, kurse nota ruse nuk e përfillte fare fatin e Shqipërisë. Në Rajshtat çështja shqiptare hyri për të parën herë në qerthullin e diplomacisë evropiane si çështje politike. Megjithëse aty nuk u mor asnjë vendim, qysh në hapin e parë u shfaqën dy qëndrime të kundërta, që do ta karakterizojnë, tani e tutje, trajtimin e çështjes shqiptare nga kancelaritë e mëdha: njëri i Rusisë, që mohonte krejtësisht të drejtat kombëtare të shqiptarëve, tjetri i Austro-Hungarisë, që kërkonte, veçse pjesërisht, respektimin e tyre. Edhe ideja e Vjenës për krijimin e një formacioni politik shqiptar, ishte e kushtëzuar me futjen e këtij shteti nën protektoratin e saj. Si pasojë e këtyre tre faktorëve - e kalbëzimit të Perandorisë Osmane, e rritjes së lëvizjes çlirimtare dhe e ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha - lindi përsëri në mesin e viteve 70, por me një mprehtësi më të madhe se në të kaluarën, e ashtuquajtura Krizë Lindore. Thelbin e saj e përbënte, si edhe më parë, jo vetëm çështja e çlirimit kombëtar të popujve të robëruar të Perandorisë Osmane, por edhe çështja e ndarjes së zotërimeve të Perandorisë Osmane, në të cilën përfshihej edhe copëtimi i trojeve shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama